Panorama Sport (Albania)

Aleksi i bindur: Egnatia e mbyll si kryesuese, nuk kemi presion

Mesfushori i rrogozhina­sve: Nuk e lëshojmë vendin e parë

-

Egnatia është zyrtarisht në krizë, pasi nuk fiton prej 7 javësh në kampionat. Rrogozhina­sit u mundën së fundi nga Skënderbeu, duke rrezikuar vendin e parë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Albano Aleksi shprehet se Egnatia do të rikthehet shpejt te fitorja. Mesfushori mendon se kjo pauzë do shërbejë për t’u përgatitur më mirë për pjesën e mbetur të sezonit.

Aleksi, u ndëshkuat nga 2 goditje standarde kundër Skënderbeu­t, çfarë nuk shkoi me korçarët?

U ndëshkuam në pikën tonë më të fortë. Pësuam dy gola të evitueshëm dhe e vështirësu­am punën. Egnatia u mundua të ndryshonte lojën në pjesën e dytë, krijuam raste, por nuk mundëm të dilnim me pikë. Kemi kohë për të analizuar gabimet tona, me qëllim që të jemi më të qartë në vazhdim. Futbolli është lojë episodesh, duhet të jesh gjithmonë vigjilent për të evituar rreziqet. NA duhet të tregohemi më të kujdesshëm për ta pasur fatin në duart tona.

Për penalltinë e humbur, çfarë do të thoshit?

U mërzita shumë, penalltia mund të rihapte sfidën dhe në ato minuta të mbetura mund të tentonin një pikë. Shkova me besim se do të shënoja, por nuk ia dola. Me Skënderbeu­n ishte një ditë “jo” për gjithë skuadrën. Tani duhet të shohim përpara, negativite­tin

e kohëve të fundit duhet ta rikthejmë në burim force. Ne besojmë te njeri-tjetri se do të rikthehemi më të fortë. Kundërshta­ri i radhës është Kukësi, si e mendoni këtë duel?

Kukësi ka një skuadër, që mund t’i bëjë keq kujtdo. Ne duam t’i japim fund ecurisë negative në kampionat. Jemi të vetëdijshë­m se na pret një sfidë delikate, ku duhet të japim maksimumin. Egnatia i ka kualitetet për ta interpretu­ar ndeshjen me Kukësin në mënyrën më të mirë dhe për të marrë fitoren që aq shumë e duam në këtë moment.

I druheni formës që po kalojnë verilindor­ët?

E respektojm­ë maksimalis­ht kundërshta­rin, por nuk kemi arsye t’i druhemi asnjë ekipi. Nëse arrijmë të kryejmë detyrat që na jep trajneri, nuk kam dyshime se nuk diskutojmë asnjë skuadër në Shqipëri. Sa herë kemi bashkuar forcat, kemi dalë me kokën lartë nga fusha.

Sa shanse ka Egnatia ta ruajë deri në fund vendin e parë?

Nuk e shohim klasifikim­in, por kjo nuk do të thotë që nuk duam ta ruajmë vendin e parë. Mendoj se shanset i kemi ta mbyllim si kryesues, pasi kemi udhëhequr nga fillimi. Vllaznia dhe Partizani janë afruar dhe do të jetë garë e fortë, por besoj se nuk e lëshojmë vendin e parë.

Cili trofe është më i arritshëm për ju, kupa apo kampionati?

Ne i duam të dy trofetë dhe do t’i synojmë deri në fund. Jemi të vetëdijshë­m se duhet shumë punë. Presidenti ka investuar që kjo skuadër të jetë fituese. Fatmirësis­ht, atmosfera është miqësore dhe kjo na ndihmon të shprehim më mirë aftësitë tona. Dëshira për ta kurorëzuar këtë sezon me trofe është e madhe.

Si lojtar me eksperienc­ë, si mund të inkurajohe­t ekipi pas këtyre ndeshjeve pa fitore?

Ne komunikojm­ë shumë dhe unë këmbëngul se duhet të mbajmë kokën lart, sepse çdo skuadër ka një moment “jo”. Nuk kemi pse e bëjmë dramë, por thjeshtë duhet të mbledhim forcat për ta kaluar këtë situatë të sikletshme. Rëndësi ka që ekipi nuk ka presion.

Çfarë u premton tifozëve rrogozhina­s?

Tifozët na kanë qëndruar pranë gjatë kësaj periudhe dhe për këtë gjej rastin t’i falënderoj. U premtoj se do bëj gjithçka bashkë me shokët e skuadrës ta rikthejmë Egnatian te fitorja. Dua që me Kukësin ta mbushin stadiumin plot dhe jam i bindur se do festojmë siç kemi bërë shpesh këtë sezon. ISA HALILI

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania