Panorama Sport (Albania)

Shkodranët zyrtarisht në krizë, përmbysen nga Laçi

-

Vllaznia humbet përballjen ndaj Laçit, duke treguar edhe njëherë se faza e katërt është negative për të. Kuqeblutë nuk kanë fituar asnjë nga 4 ndeshjet e kësaj faze. Këtë herë janë mundur 1-2 me përmbysje nga Laçi i Armando Cungu. Vllaznia ruan pozitat në vendin e dytë, por mund të themi se është zyrtarisht në krizë. NDESHJA – Vllaznia pati fat dhe e pa veten në avantazh në minutën e 18-të, pasi më parë kishte rrezikuar me Alivodën, Grudën dhe Salën. Mbrojtësi i majtë, nga më të mirët në fushë, harkon drejt zonës, topi devijohet nga Kurti dhe përfundon në rrjetë. Kuqeblutë nuk e ulin ritmin, kurse provon të bëjë diçka me goditjet standarde. Në një të tillë kanë shansin të barazojnë me Mjakin, po goditja e tij me kokë përfundon jashtë. Më pas Alivoda shkarkon të majtën, topi devijohet dhe krijon iluzionin e golit, por pa rezultat. Në minutën e 38-të laçianët për pak sa nuk shënojnë autogolin e dytë. Kros në zonë nga e djathta, Paulo Zhunior, në përpjekje për ta larguar topin, për pak sa nuk e dërgon te porta e tij. Në pjesën e dytë loja ndryshon, laçianët “zgjohen” dhe janë më kërkues. Vllaznia provon të dyfishojë shifrat me Grudën, i cili gjen gatishmëri­në e portierit Dajsinani. Sobouale godet me kokë, por topi përfundon jashtë. Pas 2 minutash, në të 57-ën, Laçi barazon me Tresën, i cili gjuan fort tokazi, pas një pasimi të marrë nga Myrta. Pas barazimit shkodranët duket se nuk kanë qartësinë e duhur. Goleadori dhe kapiteni Bekim Balajn godet me kokë nga një kros i ardhur nga goditja e këndit, topi nuk i bindet të shkojë në rrjetë. Laçianët rrezikojnë një tjetër autogol, kur Çoba pason nga krahu i djathtë, devijon mbrojtja dhe topi shkon në këmbët e portierit Dajsinani. Çoba bën gjithçka mirë në krahun e djathtë, kroson në zonë, pa gjetur askënd nga shokët e skuadrës. Atë që nuk e bëjnë kuqeblutë, e bëjnë miqtë me Ujkën, që 8 minuta para fundit e çon topin në rrjetën e Qarrit direkt nga një goditje dënimi në pozicion diagonal. Pavarësish­t presionit të vendasve, gjithçka mbyllet 1-2.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania