Panorama Sport (Albania)

Teuta, tri pikë të arta për mbijetesën në Korçë

-

Teuta bën sërish surprizën në Korçë, teksa mposht Skënderbeu­n me rezultatin 0-1. Një ndeshje që durrsakët e kanë interpretu­ar mësë miri nga minuta e parë deri në fund, duke marrë tri pikët e plota dhe duke hedhur një hap të rëndësishë­m për arritjen e mbijetesës. Në krahun tjetër edhe pse me kërkesën për të kapur Dinamon në pozicionin e fundit të vlefshëm për “Final 4”. Skënderbeu nuk arrin dot të bëjë atë që duhet duke u dorëzuar pa kushte kundër Teutës, e cila ishte më superiore në këtë takim.

PJESA E PARË

Teuta e nis menjëherë me këmbën te pedali i gazit dhe mund të ndëshkojë korçarët që në minutën e tretë të takimit, por Gjini nuk gjen dot devijimin e duhur edhe pse gjen të përgjumur mbrojtjen vendëse. Skënderbeu nuk duket askund dhe Teuta ka gjithmonë iniciativë­n në pjesën e parë. Moment kulmor i ndeshjes është ai i minutës së 29-ë të takimit, kur pas një harkimi në zonë Xhantu prek topin me dorë dhe për kryesorin Hamiti pas rishikimit të pamjeve në VAR, ka penallti për miqtë. Kruja merr përsipër goditjen nga pika e bardhë, por nuk arrin dot të shënojë, pasi topi prek shtyllën dhe përfundon jashtë. Me shumë fat korçarët. Pjesa e parë nuk ka më episode teksa mbyllet me zotërimin e mesfushës nga ana e Teutës.

PJESA E DYTË

Pjesa e dytë nis me të njëjtin ritëm si fraksioni i parë i lojës, me Teutën që kërkon më shumë dhe sheh më shumë drejt portës së Alias. Por edhe pse në pozicion të favorshëm për të shënuar, Daci shpërdoron mundësi të arta për Teutën duke bërë më të vështirën edhe pse pranë portës. Skënderbeu mundohet të reagojë, por nuk ka forcën dhe përqendrim­in e duhur. Tentativat e Liços janë shumë pak për të ndryshuar rrjedhën e takimit. Ndërsa Teuta edhe pse shpërdoroi shumë vijon ende të besojë te pikët e plota. Duhet të vinte minuta e 75-të e takimit që blutë të kalonin në avantazh. Kruja hedh një top në zonë, atje ku Gjini kërcen mbi të gjithë dhe me kokë arrin të mposhtë Alian, duke kaluar durrsakët në avantazh. Goli gëzon pamasë miqtë por zgjon edhe Skënderbeu­n që vetëm pas minutës së 80-ë hyn në lojë. Fillimisht është Liço që pas një kontrolli të mirë të topit lëshon një predhë nga distanca, por Vata bën një super pritje duke mbajtur ekipin e tij në avantazh. Korçarët insistojnë dhe vetëm dy minuta nga fundi i takimit kanë një mundësi të artë, por goditja me kokë e Rashicës nga shumë pranë portës, nuk ka shënjestrë­n e duhur dhe përfundon pak mbi tra. Mbyllet kështu me fitoren e Teutës takimi i luajtur të shtunën në Korçë me Skënderbeu­n që nuk arrin dot të marrë asnjë pikë në këtë ndeshje. Një fitore me shumë vlera për durrsakët, të cilët mbajnë hapur betejën për mbijetesë. LLAZI SARO

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania