Panorama Sport (Albania)

Lleshaj konfirmon trajnerin: Hima nuk lëviz nga Burreli

-

“Trajneri nuk do të lëvizë nga Burreli. Ai do të vijojë punën deri në përfundim të kampionati­t”, kështu shprehet për gazetën numri një i klubit matjan, Marjan Lleshaj, që është dhe në cilësinë e administra­torit të klubit. “Puna e trajnerit është e vlerësuar në maksimum. Ekipi e ka treguar shumë mirë që di të luajë futboll dhe atë e ka shprehur në fushën e lojës në disa ndeshje të vështira, por mund të them se nuk po kalojmë një situatë të mirë prej 3 javësh, gjë që duhet kapërcyer sa më shpejt dhe të rikthehemi te fitorja”, thotë më tej ai. Tashmë çështja e trajnerit Hima konsideroh­et e mbyllur dhe e gjithë vëmendja e matjanëve do të përqendroh­et te katër ndeshjet e fundit të kampionati­t. Humbja e pësuar kundër Tomorit është e treta radhazi për skuadrën matjane, duke rënduar akoma më shumë situatën në renditje. Në vijim të prononcimi­t të tij, sekretari Lleshaj për ndeshjen ndaj Tomorit shprehet: “Ndeshjen kundër Tomorit e kishim vlerësuar maksimalis­ht. Nuk e kuptova anësorin Mahmuti që na anuloi një gol të rregullt dhe kryesorin që nuk na dha një 11-metërsh të pastër. Janë momente jo vetëm që përcaktojn­ë ecurinë, por dhe fatin e ndeshjes. Nuk e di se për llogari të kujt ekipi interesohe­j gjykimi, por di të them se kishin më shumë interes arbitrat që të fitonte Tomori se sa sportdashë­sit e atij ekipi”, mbyll komentin sekretari matjan. Pas përfundimi­t të javës së 29-të Burreli renditet i nënti me pikë të barabarta me Lushnjën dhe Besën e Kavajës, 31 të tilla. Këtë javë formacioni i Himës do të ketë një transfertë të vështirë në “Redi Maloku”, ku do të ndeshen kundër Kastriotit. Pas humbjes me Besën edhe krutanët janë përfshirë nga ethet e largimit nga zona e ftohtë e renditjes. NDERIM GOCI

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania