Panorama Sport (Albania)

Njuei do largimin nga Red Bulli, Ferrari në horizont për projektues­in

-

Adrian Njuei është gati të largohet nga Red Bulli. Projektues­i i makinës më të shpejtë prej disa sezonesh në Formula 1, sipas asaj që filtron në shtypin anglez dhe gjerman, thuhet se është duke negociuar një lamtumirë të parakohshm­e nga ekipi kampion i botës si pasojë e çështjes që përfshiu drejtorin e skuadrës Kristian Horner. Kontrata mes Njueit dhe Red Bullit skadon në vitin 2025, por palët mund të ndahen që në fund të këtij sezoni dhe më pas britaniku të shkruajë një kapitull të ri personal në një ekip tjetër sezonin e ardhshëm. Siç raportohet nga “Automotors­port” dhe BBC, Njuei është i shqetësuar nga situata e krijuar brenda ekipit pas akuzave për ngacmim seksual ndaj një punonjëse nga Horner, me gruan që më pas u përjashtua nga skuadra e Red Bullit. Horner doli nga ky skandal i forcuar me mbështetje­n e skuadrës, por kjo situatë ka lënë “plagë” në ekip, teksa një nga figurat më të rëndësishm­e, siç është projektues­i brilant i makinës, tashmë ka shprehur pakënaqësi­në, duke kërkuar largimin. Njuei, gjithashtu ka kërkuar që të mos jetë i përfshirë në dizajnimin e makinës për vitin 2026. Me Red Bullin, Adrian Njuei fitoi gjithsej 13 kampionate botërore, 6 për konstrukto­rë dhe 7 për pilotë, me Fetelin dhe Vershtapen­in. Për sa i përket të ardhmes, emri i Njueit lidhet me disa ekipe të Formulës 1, duke përfshirë Aston Martin, Mercedesin dhe padyshim Ferrarin, të cilët janë shumë të interesuar. Disa javë më parë britaniku kishte lënë gjithçka të hapur kur ishte pyetur për një të kalim te Ferrari, duke u shprehur kështu: “Tani jam mirë te Red Bulli, por në të ardhmen nuk i dihet”, një deklaratë që tashmë tingëllon pothuajse profetike.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania